Pas një procesi aktiv gati dy-vjeçar konsultimi dhe bashkëpunimi midis organizatave të shoqërisë civile në të gjithë vendin, kemi kënaqësinë të njoftojmë krijimin e Kodit të Standardeve (KS) të Organizatave Jofitimprurëse në Shqipëri.Kodi i Standardeve prezanton një mekanizëm vetërregullues për sektorin, duke synuar të përmirësojë efektivitetin e punës së organizatave jofitimprurëse, mirëqeverisjen, transparencën dhe llogaridhënien.
Ai është një tërësi parimesh dhe angazhimesh mbi mënyrën se si organizatat zhvillojnë veprimtarinë e tyre, si ato qeverisen, manaxhojnë burimet, janë transparente dhe llogaridhënëse me të gjithë grupet e interesit, si ndërtojnë marrëdhëniet me mbështetësit dhe donatorët, si manaxhojnë konfliktin e interesave, etj.
Konceptuar si kontribut i sektorit për sektorin, Kodi është një praktikë e ngritur dhe bazuar në përvoja dhe modele ndërkombëtare e rajonale të standardeve për organizatat e shoqërisë civile sikurse ajo e Rrjetit Ballkanik të Zhvillimit të Shoqërisë Civile (BCSDN) dhe Standardit Global për Përgjegjshmërinë e OSHC-ve.
Grupi i punës i përbërë nga 16 organizata të shoqërisë civile, punuan dhe përshtatën më tej Kodin e Standardeve me dinamikën e zhvillimit të sektorit jofitimprurës në Shqipëri dhe hartuan Kodin e Standardeve si dhe një kornizë të zbatimit që mundëson monitorimin dhe vet-vlerësimin e organizatës.
Si një mekanizëm vetërregullues që ndërmerret me vullnetin e lirë të OJF-ve, KS është një mjet që nxit të mësuarit dhe ndryshimin, forcon marrëdhënien me partnerët e grupet e interesit si dhe rrit legjitimitetin dhe besueshmërinë e OSHC-ve.
Njihuni me dokumentin e plotë të Kodit https://bit.ly/3h6bL6U
Njihuni me anëtarësinë e Kodit dhe strukturat zbatuese https://bit.ly/3du14ss
Ftojmë të gjitha organizatat e interesuara të bëhen pjesë e Kodit të njihen me procesin e anëtarësimit këtu https://bit.ly/362QmoO