Thirrje për ekspert Ekspert për hartimin e raportit të analizës së tipologjive të mundësive të punësimit

Pozicioni i punësEkspert për hartimin e raportit të analizës së tipologjive të mundësive të punësimit
ProjektiKëshillim i integruar për zhvillimin dhe fuqizimin në punësim në bashkinë Korçë
Zona e projektitBashkia Korçë
Data e mundshme e fillimit të punësTetor 2026 deri në date 01 dhjetor 2026
Lloji i kontratësKontratë shërbimi – 30 ditë pune

Nisma për Ndryshim Shoqëror ARSIS kërkon të kontraktojë një ekspert për përgatitjen e raportit të analizës orientuese të tipologjive të mundësive të punësimit në Bashkinë Korçë, në kuadër të Aktivitetit 2 të projektit “Këshillim i integruar për zhvillimin dhe fuqizimin në punësim në bashkinë Korçë”. Projekti zbatohet nga Nisma ARSIS përmes thirrjes për nëngrante të UNDP për programin EU4LMI, financuar nga Bashkimi Europian. Rreth Nisma për Ndryshim Shoqëror ARSIS

Nisma për Ndryshim Shoqëror ARSIS (shkurtimisht NISMA ARSIS) është një organizatë jofitimprurëse, e cila është themeluar në shkurt të vitit 2016. NISMA ARSIS është një aktor jo qeveritar me influencë në sektorin e shoqërisë civile në Shqipëri.

Mision i NISMA ARSIS është angazhimi për avancimin e të drejtave të fëmijëve, të rinjve dhe familjarëve të tyre që përballen me vulnerabilitet, duke ofruar shërbime gjithëpërfshirëse dhe duke lehtësuar integrimin me dinjitet të tyre në shoqëri. NISMA ARSIS advokon dhe lobon në nivel lokal dhe qëndror mbi çështjet e mbrojtjes së fëmijëve dhe të rinjve, zhvillimit dhe pjesëmarrjes, përmirësimit të kushteve social- ekonomike të familjeve të tyre dhe fuqizimit të kapaciteteve të shërbim ofruesve, organizatave jofitimprurëse, profesionistëve dhe aktorëve të tjerë të cilët punojnë me fëmijët në situatë vulnerabël.

Përshkrimi i Projektit

Projekti “Këshillimi i Integruar për Zhvillimin dhe Fuqizimin në Punësim në Bashkinë Korçë” synon të krijojë dhe zbatojë në mënyrë efektive modelin e Këshillimit Intensiv për Punësim në Bashkinë Korçë, duke mbështetur 80 persona në situatë vulnerabël në kërkimin e punës dhe përfshirjen e tyre në tregun e punës. Gjatë një periudhe 12-mujore (Janar – Dhjetor 2025), projekti do të ofrojë këshillim të personalizuar për punësim për individë që përballen me barriera të mëdha në punësim, duke përfshirë të rinjtë (15-29 vjeç), nënat e reja të papuna dhe përfituesit e skemave të ndihmës sociale. Duke përshtatur manualin “Këshillim për punësim” me nevojat lokale, projekti do të ofrojë udhëzime të strukturuara, zhvillim aftësish dhe mbështetje për punësim, duke siguruar që pjesëmarrësit të pajisen me mjetet e nevojshme për të gjetur punësim domethënës.

Projekti do të zbatojë një program gjashtëmujor këshillimi intensiv, i ndjekur nga mundësi praktike dhe trajnime profesionale për pjesëmarrësit e përzgjedhur. Gjithashtu, do të angazhojë aktorët lokalë në diskutime mbi rëndësinë e këshillimit intensiv si një mjet efektiv për integrimin në tregun e punës.

Aktivitetet kryesore përfshijnë një takim hapës me aktorët relevantë, ofrimin e këshillimit të drejtpërdrejtë për punësim, lehtësimin e praktikave dhe një event përmbyllës për të prezantuar rezultatet e projektit. Në përfundim, tregu i punës në Korçë do të jetë më i përgatitur për të mbështetur punëkërkuesit në situatë vulnerabël, duke nxitur përfshirjen ekonomike dhe rrugët e qëndrueshme të punësimit.

Gjatë periudhës së zgjatjes, nga 29 shtator deri më 05 dhjetor 2026, Aktiviteti 1 do të ofrojë mbështetje individuale të synuar për 7–10 pjesëmarrës nga grupi ekzistues EU4LMI. Përparësi do të kenë personat me mundësi reale për të filluar punë brenda kësaj periudhe, përfshirë ata me një vend pune të përshtatshëm të identifikuar, një aplikim në proces ose një intervistë të pritshme.

Eksperti do të identifikojë dhe klasifikojë tipologjitë kryesore të mundësive të punësimit sipas sektorit, profesionit dhe mënyrës së organizimit të punës. Për secilën tipologji do të analizojë kërkesën e punëdhënësve, kushtet e hyrjes, kushtet e punës dhe faktorët e qëndrueshmërisë, duke përcaktuar mundësitë reale për pjesëmarrësit ekzistues të EU4LMI dhe pengesat për hyrjen e qëndrimin në punë. Nën mbështetjen dhe supervizimin e plotë të ekipit koordinues të programit, eksperti, do të ketë këto përgjegjësi:

– Hartojë metodologjinë, planin për 30 ditë pune dhe instrumentet e konsultimit. Të dakordësojë burimet, kriteret e përzgjedhjes së punëdhënësve dhe mbulimin e sektorëve e territorit, duke përshtatur numrin e konsultimeve me kohën dhe burimet e disponueshme.

– Shqyrtojë informacionin e disponueshëm nga AKPA, Bashkia Korçë, burime statistikore të besueshme dhe dokumentacioni i projektit. Të analizojë profilet e anonimizuara të pjesëmarrësve ekzistues për të kuptuar aftësitë, interesat dhe pengesat e tyre.

– Zhvillojë konsultime të fokusuara me punëdhënës vendorë të sektorëve dhe madhësive të ndryshme, si dhe me aktorë të punësimit sipas nevojës. Të dokumentojë kërkesën aktuale dhe të pritshme, vështirësitë në rekrutim dhe përvojat me mbajtjen e punonjësve.

– Përgatisë një matricë tipologjish sipas sektorit, profesionit dhe organizimit të punës, përfshirë punën me kohë të plotë ose të pjesshme, punën e përhershme, të përkohshme apo sezonale, sipas gjetjeve. Të evidentojë kërkesat për arsim, aftësi, përvojë, orare, vendndodhje, kushte kontraktuale dhe pagesë kur konfirmohet.

– Analizojë për secilën tipologji faktorët që ndikojnë në qëndrueshmërinë e punësimit, përfshirë vazhdimësinë e kërkesës, sezonalitetin, stabilitetin e orareve dhe të ardhurave, kushtet e punës, mbështetjen nga punëdhënësi dhe mundësitë e aftësimit ose përparimit.

– Vlerësojë cilat tipologji ofrojnë mundësi realiste për pjesëmarrësit ekzistues të EU4LMI. Të identifikojë pengesat për aksesin dhe mbajtjen e punës, përfshirë boshllëqet në aftësi, kërkesat për përvojë, transportin, oraret dhe përgjegjësitë familjare, si dhe mbështetjen që mund t’i adresojë ato.

– Hartojë raportin me gjetje të mbështetura në burime, matricën krahasuese dhe rekomandime praktike për Nisma ARSIS, AKPA/NAES dhe Bashkinë Korçë. Të dallojë vendet e lira të konfirmuara nga kërkesa e pritshme dhe të shpjegojë kufizimet e informacionit e konsultimeve.

– Diskutojë gjetjet paraprake me ekipin e projektit dhe përfaqësuesit e AKPA/NAES e Bashkisë Korçë, të integrojë komentet dhe të dorëzojë raportin përfundimtar. Të mbajë evidencën e ditëve të angazhimit dhe të raportojë rregullisht për ecurinë. Produktet dhe rezultatet e pritshme për 30 ditë pune Afatet më poshtë llogariten në ditë pune të ekspertit. Datat kalendarike dakordësohen në kontratë dhe

planin e miratuar të punës.

– Ditët 1–5 — Metodologjia dhe plani i punës, me burimet, instrumentet e konsultimit, kriteret e përzgjedhjes së punëdhënësve dhe strukturën paraprake të raportit.

– Ditët 6–18 — Përmbledhje e informacionit dhe konsultimeve, me listën e burimeve, datat, mbulimin e sektorëve dhe matricën paraprake të tipologjive. Shënimet e konsultimeve ruhen duke respektuar konfidencialitetin.

– Ditët 19–25 — Drafti i raportit, me përmbledhjen, metodologjinë, klasifikimin sipas tre dimensioneve, analizën e kërkesës, kushteve dhe qëndrueshmërisë, mundësitë për pjesëmarrësit, pengesat, rekomandimet dhe kufizimet.

– Ditët 26–30 — Raporti përfundimtar në shqip në Word dhe PDF, i rishikuar pas komenteve, matrica përfundimtare e redaktueshme në Excel dhe përmbledhja e rekomandimeve me aktorët përgjegjës. Produktet dhe evidenca e ditëve të punës dorëzohen te koordinatori për shqyrtim dhe miratim. Kualifikimet dhe Eksperienca e Kërkuar

– Diplomë universitare në ekonomi, shkenca sociale, statistikë, menaxhim, politika publike ose fusha të ngjashme.

– Të paktën 3 vjet përvojë në kërkim, analiza të tregut të punës, studime punësimi ose vlerësime të lidhura me përfshirjen ekonomike.

– Përvojë e provuar në intervista me punëdhënës, shqyrtim të burimeve dytësore dhe analizë cilësore e sasiore përshkruese.

– Aftësi në analizimin e kërkesave të profesioneve, kushteve të punës dhe pengesave për punësim të grupeve në situatë vulnerabël.

– Aftësi shumë të mira në hartimin e raporteve dhe rekomandimeve praktike në shqip, si dhe në përdorimin e Word dhe Excel.

– Aftësi organizimi dhe bashkëpunimi me institucione publike e biznese; njohja e tregut të punës në Korçë përbën përparësi. Politikat e Mbrojtjes së Fëmijëve: Të gjithë personat që punojnë me programet e Nisma ARSIS janë të detyruar të respektojnë politikat e mbrojtjes së fëmijëve, politikat e mbrojtjes nga abuzimi dhe shfrytëzimi seksual, rregulloren e brendshme të Nisma ARSIS, kodin e sjelljes, Legjislacionin e plotë për Mbrojtjen e Fëmijëve si dhe çdo dokument tjetër për të cilin duhet të ketë dijeni.

Procedura e aplikimit: Personat e interesuar duhet të dergojnë së bashku me kërkesën për aplikim në email ose me postë edhe dokumentat si më poshtë:

– një kopje të jetëshkrimit professional (CV) – një letër interesi brenda dates 12 tetor 2026 në info@nisma-arsis.org , ose në adresën: Rruga “Sali Butka”, Pallati T.B.M, Shkalla 2, Apartamenti 1, Kati 1,Njësia Bashkiake Nr.7, PC 1023, Tirana Albania.

Ju lutemi, në vemendjen tuaj që:

– në subjekt të emailit ose zarfit ku dërgohet aplikimi të vendoset: Ekspert për hartimin e raportit të analizës së tipologjive të mundësive të punësimit – vetëm personat e përzgjedhur për intervistë do të kontaktohen.