Thirrje për ekspert Mbështetje individuale për hyrjen në punësim

Pozicioni i punësMentorë individualë të punësimit
Individual employment mentors
ProjektiKëshillim i integruar për zhvillimin dhe fuqizimin në punësim në bashkinë Korçë
Zona e projektitBashkia Korçë
Data e mundshme e fillimit të punësTetor 2026 deri në date 01 dhjetor 2026
Lloji i kontratësKontratë shërbimi – 40 ditë pune

Nisma për Ndryshim Shoqëror ARSIS kërkon të kontraktojë mentorë individualë punësimi për 7–10 përfitues ekzistues të projektit “Këshillim i integruar për zhvillimin dhe fuqizimin në punësim në bashkinë Korçë”. Projekti zbatohet nga Nisma ARSIS përmes thirrjes për nëngrante të UNDP për programin EU4LMI, financuar nga Bashkimi Europian. Mentorët do të ofrojnë këshillim praktik dhe ndjekje individuale për aplikimet, intervistat dhe hapat për fillimin e punës. Rreth Nisma për Ndryshim Shoqëror ARSIS

Nisma për Ndryshim Shoqëror ARSIS (shkurtimisht NISMA ARSIS) është një organizatë jofitimprurëse, e cila është themeluar në shkurt të vitit 2016. NISMA ARSIS është një aktor jo qeveritar me influencë në sektorin e shoqërisë civile në Shqipëri.

Mision i NISMA ARSIS është angazhimi për avancimin e të drejtave të fëmijëve, të rinjve dhe familjarëve të tyre që përballen me vulnerabilitet, duke ofruar shërbime gjithëpërfshirëse dhe duke lehtësuar integrimin me dinjitet të tyre në shoqëri. NISMA ARSIS advokon dhe lobon në nivel lokal dhe qëndror mbi çështjet e mbrojtjes së fëmijëve dhe të rinjve, zhvillimit dhe pjesëmarrjes, përmirësimit të kushteve social- ekonomike të familjeve të tyre dhe fuqizimit të kapaciteteve të shërbim ofruesve, organizatave jofitimprurëse, profesionistëve dhe aktorëve të tjerë të cilët punojnë me fëmijët në situatë vulnerabël.

Përshkrimi i Projektit

Projekti “Këshillimi i Integruar për Zhvillimin dhe Fuqizimin në Punësim në Bashkinë Korçë” synon të krijojë dhe zbatojë në mënyrë efektive modelin e Këshillimit Intensiv për Punësim në Bashkinë Korçë, duke mbështetur 80 persona në situatë vulnerabël në kërkimin e punës dhe përfshirjen e tyre në tregun e punës. Gjatë një periudhe 12-mujore (Janar – Dhjetor 2025), projekti do të ofrojë këshillim të personalizuar për punësim për individë që përballen me barriera të mëdha në punësim, duke përfshirë të rinjtë (15-29 vjeç), nënat e reja të papuna dhe përfituesit e skemave të ndihmës sociale. Duke përshtatur manualin “Këshillim për punësim” me nevojat lokale, projekti do të ofrojë udhëzime të strukturuara, zhvillim aftësish dhe mbështetje për punësim, duke siguruar që pjesëmarrësit të pajisen me mjetet e nevojshme për të gjetur punësim domethënës.

Projekti do të zbatojë një program gjashtëmujor këshillimi intensiv, i ndjekur nga mundësi praktike dhe trajnime profesionale për pjesëmarrësit e përzgjedhur. Gjithashtu, do të angazhojë aktorët lokalë në diskutime mbi rëndësinë e këshillimit intensiv si një mjet efektiv për integrimin në tregun e punës. Aktivitetet kryesore përfshijnë një takim hapës me aktorët relevantë, ofrimin e këshillimit të drejtpërdrejtë për punësim, lehtësimin e praktikave dhe një event përmbyllës për të prezantuar rezultatet e projektit. Në përfundim, tregu i punës në Korçë do të jetë më i përgatitur për të mbështetur punëkërkuesit në situatë vulnerabël, duke nxitur përfshirjen ekonomike dhe rrugët e qëndrueshme të punësimit.

Gjatë periudhës së zgjatjes, nga 29 shtator deri më 05 dhjetor 2026, Aktiviteti 1 do të ofrojë mbështetje individuale të synuar për 7–10 pjesëmarrës nga grupi ekzistues EU4LMI. Përparësi do të kenë personat me mundësi reale për të filluar punë brenda kësaj periudhe, përfshirë ata me një vend pune të përshtatshëm të identifikuar, një aplikim në proces ose një intervistë të pritshme.

Mentorët do të ndihmojnë përfituesit e përzgjedhur të hyjnë në punësim gjatë periudhës 5 tetor – 01 dhjetor 2026. Për çdo përfitues caktohet një mentor përgjegjës, i cili dakordëson hapat sipas aftësive, interesave, rrethanave dhe pëlqimit të tij. Angazhimi përfshin 40 ditë pune gjithsej, të ndara ndërmjet mentorëve sipas rasteve dhe nevojave të përfituesve. Koordinatori miraton ndarjen në kontratat përkatëse dhe fletët e evidencës së kohës së punës. Nën mbështetjen dhe supervizimin e plotë të ekipit koordinues të programit, eksperti, do të ketë këto përgjegjësi:

  • Rishikojë dosjet dhe ecurinë e përfituesve që i caktohen nga grupi i 7–10 personave të përzgjedhur. Të vlerësojë gatishmërinë, aftësitë, disponueshmërinë dhe pengesat për punësim dhe të dakordësojë me secilin një plan veprimi me hapat dhe afatet përkatëse.
  • Ofrojë këshillim individual për përgatitjen ose përditësimin e CV-së, plotësimin e aplikimeve dhe përgatitjen për intervista. Të përdorë ushtrime praktike për prezantimin e aftësive, komunikimin me punëdhënësin dhe menaxhimin e pritshmërive.
  • Bashkëpunojë me ekspertin e angazhimit të punëdhënësve dhe ndërmjetësimit në punësim për përputhjen e vendeve të identifikuara me profilin dhe rrethanat e përfituesit. Të shpjegojë kërkesat dhe kushtet e punës përpara aplikimit.
  • Me pëlqimin e përfituesit dhe në koordinim me ekspertin, kontaktojë punëdhënësit, ndjekë aplikimet dhe organizojë intervistat. Të mbështesë përgatitjen dhe pjesëmarrjen në intervistë, të marrë informacion mbi rezultatin dhe të dakordësojë me përfituesin hapat pasues.
  • Identifikojë pengesat e menjëhershme që mund të vonojnë punësimin, përfshirë nevojat për dokumentacion ose akses në shërbime. Të koordinojë me Zyrën Vendore të Punësimit ose shërbimet përkatëse bashkiake për trajtimin e tyre, duke dokumentuar referimet dhe ndjekjen e përgjigjeve.
  • Raportojë çdo javë te koordinatori mbi ecurinë dhe pengesat, të mbajë fletët e evidencës së kohës së punës dhe të dorëzojë dokumentacionin përfundimtar. Për rastet në proces, të përcaktojë hapat e mbetur, personin përgjegjës dhe datën e ndjekjes. Produktet dhe rezultatet e pritshme për 40 ditë pune
  • Plane individuale veprimi për 7–10 përfitues gjithsej, të dakordësuara në fillim të mbështetjes dhe të përditësuara sipas ecurisë, me objektivat, hapat, afatet dhe mentorin përgjegjës.
  • Dosje të përditësuara mentorimi për përfituesit e caktuar, me evidencat e seancave individuale,

mbështetjen për CV dhe aplikime, përgatitjen për intervista, referimet dhe veprimet pasuese, duke respektuar konfidencialitetin. Kualifikimet dhe Eksperienca e Kërkuar

  • Diplomë universitare në shkenca sociale, punë sociale, psikologji, ekonomi, menaxhim biznesi ose fusha të ngjashme.
  • Të paktën 3 vjet përvojë në këshillim për punësim, orientim në karrierë, mentorim individual ose mbështetje për integrimin në tregun e punës të personave në situatë vulnerabël.
  • Përvojë praktike në përgatitjen e planeve individuale, mbështetjen për CV dhe aplikime, përgatitjen për intervista dhe ndjekjen e përfituesve drejt punësimit.
  • Njohje e shërbimeve vendore të punësimit dhe shërbimeve sociale; përvoja në bashkëpunimin me Zyrën Vendore të Punësimit dhe institucionet bashkiake në Korçë përbën përparësi.
  • Aftësi të mira dëgjimi, komunikimi, motivimi dhe ndërtimi të besimit me përfituesit; aftësi për të përshtatur këshillimin me nevojat individuale dhe për të respektuar barazinë dhe mosdiskriminimin.
  • Aftësi organizative për ndjekjen e disa rasteve dhe respektimin e afateve; aftësi dokumentimi e raportimi, përfshirë Word dhe Excel.
  • Njohuri për ruajtjen e konfidencialitetit dhe trajtimin etik të informacionit personal; aftësi shumë të mira të gjuhës shqipe. Njohja e anglishtes është e preferueshme.

Politikat e Mbrojtjes së Fëmijëve: Të gjithë personat që punojnë me programet e Nisma ARSIS janë të detyruar të respektojnë politikat e mbrojtjes së fëmijëve, politikat e mbrojtjes nga abuzimi dhe shfrytëzimi seksual, rregulloren e brendshme të Nisma ARSIS, kodin e sjelljes, Legjislacionin e plotë për Mbrojtjen e Fëmijëve si dhe çdo dokument tjetër për të cilin duhet të ketë dijeni.

Procedura e aplikimit: Personat e interesuar duhet të dergojnë së bashku me kërkesën për aplikim në email ose me postë edhe dokumentat si më poshtë:

  • një kopje të jetëshkrimit professional (CV) – një letër interesi brenda dates 12 tetor 2026 në info@nisma-arsis.org , ose në adresën: Rruga “Sali Butka”, Pallati T.B.M, Shkalla 2, Apartamenti 1, Kati 1,Njësia Bashkiake Nr.7, PC 1023, Tirana Albania.

Ju lutemi, në vemendjen tuaj që: në subjekt të emailit ose zarfit ku dërgohet aplikimi të vendoset: Aplikim për Ekspert për Mbështetje individuale për hyrjen në punësim në bashkinë Korçë – vetëm personat e përzgjedhur për intervistë do të kontaktohen.