26 Maj 2021 – “Në fillim mendova se do të më dërgonin në një qendër ku do të qëndroja i mbyllur dhe nuk do të kisha kontakte të tjera”. Janë këto fjalët e D.F, 12 vjeçarit të klasifikuar si fëmijë në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Greqi, i akomoduar në Shërbimin e Strehimit Emergjent të Sigurtë (SHSES) të mundësuar nga Nisma ARSIS. Si pasojë e konflikteve midis prindërve, babai merr djalin dhe të kthehet në Shqipëri ilegalisht. Pas denoncimit të nënës për largimin e fëmijës nga banesa pa dijeninë e saj, komisariati i policisë ndalon babain si të dyshuar për veprën penale “Rrëmbim të Mituri”. Deri në përfundim të hetimeve, u vlerësua marrja e fëmijës në mbrojtje të mënjëhershme dhe vendosja në Shërbimin e Strehimit Emergjent të Sigurtë.
D.F. iu ofruar menjëherë mbështetje psikologjike për stabilizimin e gjendjes së tij emocionale dhe psikologjike. Njëkohësisht u vendosën kontakte me Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve, për vendosjen në dijeni të rastit si dhe ndjekjen e procedurave në vazhdim.
“Ndihma e parë psikologjike është thelbësore për fëmijët e akomoduar në qendrën tonë të emergjencës, pasi traumat që ata përjetojnë lënë gjurmë dhe pengojnë funksionimin e tyre në jetën e përditshme“ thotë Katerina Mullalli, psikologe e SHSES “Shtëpia e Ngjyrave“.
Pas ofrimit të shërbimeve, fëmija ishte i qetë dhe i gatshëm për të kuptuar dhe pranuar vështirësitë që po kalonte.
“Shumë faleminderit për të gjithë mbështetjen. Unë jam ndjerë shumë mirë këtu dhe nuk më ka munguar asgjë. Kur të vij sërish në Tiranë, do vij që t’ju përshëndes”, shprehet D.F.
Aftësitë e përballimit të situtatave të kësaj natyre u përmirësuan ndjeshëm. Gjithashtu, gadishmëria dhe koordinimi i shërbimeve me strukturat përkatëse përshpejtoi gjetjen e nje zgjidhje të përshtatshme, gjithmonë duke mbajtur në konsideratë interesin më të lartë të fëmijës.
Nëpërmjet shërbimeve të ofruar në qendër, synohet aftësimi i fëmijve për të shprehur mendimet e tyre në lidhje me të ardhmen dhe zgjidhjen e situatës.