Këshillimi i Integruar për Zhvillimin dhe Fuqizimin në Punësim në Bashkinë Korçë

Nisma për Ndryshim Shoqëror ARSIS, në partneritet me Bashkinë Korçë, Drejtoria e Kujdesit Social të Bashkisë Korçë dhe Drejtoria Rajonale e Punësimit Korçë, po zbaton projektin “Këshillimi i Integruar për Zhvillimin dhe Fuqizimin në Punësim në Bashkinë Korçë”. Projekti është pjesë e iniciativës “BE për Përfshirjen në Tregun e Punës”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe që zbatohet nga PNUD Shqipëri, Zyra Publike Suedeze e Punësimit dhe Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FSHDPAK) në partneritet me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA).
 
Ky projekt synon të mbështesë 80 persona në kërkim të punës nga grupe në situatë vulnerabël në qytetin e Korçës, duke ofruar një model të strukturuar të këshillimit intensiv për punësim, të përshtatur me nevojat lokale dhe tregun rajonal të punës.
 
Përfituesit përfshijnë të rinj e të reja (15–29 vjeç), nëna të reja jashtë tregut të punës dhe përfitues të skemave të ndihmës ekonomike. Ata do të mbështeten përmes këshillimit të drejtpërdrejtë, trajnimeve profesionale dhe ndërmjetësimit për praktika apo punësim të drejtpërdrejtë.
 
Projekti bazohet në metodologjinë “Coaching for Employment” dhe përfshin:
  • Program 6-mujor këshillimi intensiv me ndihmë të individualizuar
  • Trajnime dhe praktika profesionale në bashkëpunim me ofrues lokalë dhe punëdhënës
  • Aktivizim të aktorëve institucionalë dhe lokalë për mbështetje të qëndrueshme
  • Event përmbyllës për ndarjen e rezultateve dhe praktikave të mira
Përmes këtij projekti, synohet të krijohet një model suksesi i punësimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës në nivel lokal, duke fuqizuar individët dhe kontribuar në zhvillimin socio-ekonomik të komunitetit.