Menaxhimi i rasteve të fëmijëve në konflikt me ligjin është sfidues duke filluar me vështërsinë e raportimit dhe menaxhimit proaktiv deri në riintegrimin e tyre në shoqëri.
2 vellëzër të mitur, A.R dhe L.R janë identifikuar nga Ekipi i Shërbimit Emergjent të Nisma ARSIS, që ofron ndihmë psikologjike dhe sociale në stacionet e policisë në Kamëz dhe Tiranë, që merren me fëmijë në kontakt me ligjin. Ata janë pjësë e një familje e përbërë prej 5 vetash, me prindërit dhe një motër më të vogël. Hapat e parë drejt kontakteve me ligjin kanë qënë kur fëmijët ishin frekuentues të shkollës 9-vjeçare, në klasë të 5 dhe të 7-të. Ata largoheshin vazhdimisht nga shkolla dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonin në rrugë, ku janë identifikuar shpesh herë në situatë rruge. Me kalimin e kohës braktisën shkollën dhe kryenin veprime të cilat u përshkallëzuan duke i vendosur fëmijët përballë ligjit për kryerjen e dënimit alternativ me Shërbim Prove.
Nisma ARSIS ka mundësuar riintegrimin e A.R dhe L.R si dhe të fëmijëve të tjerë nëpërmjet punësimit të pjesshëm në biznes lokal, mbështetjes psikologjike për të miturit, këshillim për prindërit, lehtësimin e kontakteve ndërmjet të miturve dhe Shërbimit të Provës, proces ky i zhvilluar nën Monitorimin e vazhdueshëm të Punonjësit të Mbrojtjes së Fëmijës. “Plotësimi i kohës së të miturve nëpërmjet aktiviteteve të cilat nxjerrin në pah aftësitë e e tyre në punën, përforcon imazhin e tyre për veten duke rritur vetëvlerësimin dhe motivimin për t’ia dalë” thotë Ardit Reka, Punonjës Social.
Funksionimi dhe qëndrueshmëria e këtij mekanizmi mbështetës, gjithëpërfshirës lehtëson dhe përforcon besimin e të miturve në sistemin e mbrojtjes.
“Tani kemi shokë të rinj më të mirë të cilët nuk na krijojnë probleme dhe na ofrojnë mundësi që ne të mbështesim familjen tonë” thonë A.R dhe L.R