20nentor7

20 Nëntori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

Nga institucionet drejt kujdesit familjar, një rrugë transformuese për fëmijët dhe familjet në Shqipëri

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm historik: për herë të parë, modeli i vjetër i kujdesit rezidencial po zëvendësohet me një qasje të re, më humane dhe më pranë interesit më të lartë të fëmijës kujdesin familjar dhe shërbimet me bazë komunitare. Ky transformim nuk është vetëm një ndryshim shërbimi; është një ndryshim filozofie, mënyre të të menduarit dhe qasjeje në trajtimin dhe mbështetjen ndaj fëmijëve që përballen me rreziqe, mungesë mbështetjeje apo vështirësi të përkohshme në familjen e tyre.

Një sistem që e vendos fëmijën dhe familjen në qendër

Për vite me radhë, shumë fëmijë në Shqipëri janë vendosur në institucione rezidenciale jo për shkak të mungesës së kujdesit prindëror, por për shkak të sfidave ekonomike, mungesës së shërbimeve, sfidave në ushtrimin e përgjegjësisë dhe kujdesit prindëror dhe dobësive të mekanizmave të mbrojtjes sociale. Por sot, falë përpjekjeve të përbashkëta të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, shërbimeve sociale të bashkive, partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave, një sistem i ri po merr formë, një sistem që parandalon, mbështet dhe fuqizon, në vend që të izolojë. Kjo qasje e re mbështetet tek: vlerësimi i hershëm, ndërhyrja e shpejtë, mbështetja psikosociale, shërbimet komunitare, parandalimi (gatekeeping), që siguron se një fëmijë të largohet nga familja vetëm si masë e fundit, dhe puna me familjen që zgjat edhe pas ribashkimit.

Qendra për shërbimet mbështetesë për fëmijën dhe familjen në Durrës

Inaugurimi i Qendrës për Mbështetjen e Fëmijës dhe Familjes në Shkozet, Durrës, këtë 20 Nëntor është një dëshmi e qartë e këtij transformimi. Qendra po shërben si një “hapësirë e sigurtë” ku fëmijët dhe prindërit gjejnë jo vetëm ndihmë, por edhe dinjitet, empati dhe drejtim. Aty ku, dikur do të ishte marrë vendimi që fëmija të vendosej në institucion, sot bëhet një plan mbështetjeje për familjen. Aty ku dikur prindërit ndiheshin të vetëm përballë vështirësive, sot takojnë profesionistë që i dëgjojnë, i orientojnë dhe i fuqizojnë.

Një nënë, e cila u ribashkua me dy fëmijët e saj pasi kishte kërkuar ndihmë, tha me emocion gjatë inaugurimit:

“Kam menduar se i kisha humbur përgjithmonë. Por kur më thanë se do të më ndihmonin të rregulloja jetën time dhe të ishim sërish bashkë, më dukej e pabesueshme. Sot jam pranë tyre në çdo moment, falë këtij shërbimi.”

 

Nga mentaliteti i institucionalizimit te kultura e mbështetjes familjare

Nisma ARSIS ka qenë për vite me radhë ndër aktorët e angazhuar në Shqipëri që ka promovuar dhe zbatuar modele alternative të kujdesit për fëmijët. Në terren, në komunitete, në qendra sociale, Nisma ARSIS ka parë nga afër se si mbështetja e duhur për prindërit është shpesh çelësi që ndryshon jetën e fëmijëve.

Një baba birësues u shpreh në lidhje me këtë realitet:

“Prindërit nuk janë të dështuar. Ata thjesht kanë nevojë për dikë që t’u japë dorën në momentin e duhur. Ne sot, jemi familje sepse sistemi filloi të besojë se edhe një fëmijë i braktisur mund të ketë një të nesërme më të mirë brenda një shtëpie, jo në një institucion.”

Ky është thelbi i transformimit “jo të presim që familjet të jenë perfekte, por t’i ndihmojmë të jenë të qëndrueshme”.

Institucionet shtetërore: shtylla e reformës që po transformon jetën e fëmijëve

Transformimi nga kujdesi rezidencial drejt kujdesit familjar është një reformë e thellë strukturore, që kërkon jo vetëm vizion, por edhe udhëheqje të qëndrueshme nga institucionet përgjegjëse. Në Shqipëri, kjo reformë po avancon sepse Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i ka dhënë prioritet hartimit të politikave të reja, standardeve të shërbimit dhe planeve kombëtare që orientojnë të gjithë strukturat në një drejtim të vetëm: forcimin e familjes dhe mbrojtjen e fëmijëve në mjedisin e tyre natyral, që është familja.

Ndërkohë, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve luan një rol thelbësor në ngritjen dhe mbështetjen profesionale të strukturave të mbrojtjes së fëmijëve në bashki, duke siguruar që punonjësit e mbrojtjes të kenë formimin, udhëzimet dhe mbikëqyrjen që u nevojitet për të marrë vendime cilësore në interesin më të fëmijës. Punonjësit e mbrojtjes, koordinatorët vendorë dhe shërbimet sociale vendore janë pika e parë e kontaktit, dhe funksionimi i tyre i fortë është çelësi që i mundëson sistemit të parandalojë, të mbështesë dhe të reagojë me profesionalizëm.

Bashkitë, nëpërmjet shërbimeve të tyre sociale, janë terreni ku kjo reformë merr jetë, aty ku identifikohen dhe vlerësohen rastet, ndërtohen planet e ndërhyrjes, punohet me familjet dhe monitorohen rezultatet në kohë. Pa fuqizimin e tyre, çdo politikë do të mbetej vetëm në letër.

Këtij vizioni kombëtar i janë shtuar edhe partnerët ndërkombëtarë si Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, UNICEF, World Vision, dhe organizata lokale si Nisma ARSIS, të cilët kanë ofruar mbështetje financiare dhe teknike, duke ndihmuar në krijimin e modeleve të qëndrueshme të shërbimeve komunitare që tashmë po japin rezultate të prekshme.

Prandaj, inaugurimi i qendrës në Durrës ishte më shumë sesa një hapje shërbimi të ri, një dëshmi e qartë e asaj që bëhet e mundur kur politikat, institucionet, profesionistët dhe partnerët bashkohen rreth një vizioni të përbashkët: çdo fëmijë të rritet në familje, në komunitet dhe me dinjitet.

 

Një thirrje në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve

Sot, Shqipëria ka mundësinë të kthejë faqen dhe të ndërtojë një sistem mbrojtjeje të fëmijëve që nuk reagon vetëm ndaj krizave, por parandalon, fuqizon dhe shërben në kohë.

Kjo ditë na kujton se çdo fëmijë ka të drejtën të rritet në një familje, në një komunitet mbrojtës, me kujdes, dashuri dhe mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tij.

Transformimi është i gjatë dhe i vështirë, por është i mundur.

Dhe çdo ribashkim, çdo familje e fuqizuar, çdo fëmijë që shmang institucionin, është prova më e bukur se kjo punë ia vlen.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *